Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.
“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.
Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.
Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka thënë se në katër vjetët e fundit, marrëdhëniet me SHBA-në kanë arritur transformim substancial, çka, sipas saj, ka ndikuar në forcim të marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë dhe diplomaci.
“Këtë vendim e shohim si vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në forcimin e miqësisë, por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë, me një shtet që ka qenë gjithmonë përkrahës ndaj shtetësisë sonë”.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në X iu drejtua presidentit amerikan, Donald Trump, dhe popullit amerikan, duke iu thënë se Kosova "është partnerja juaj e besueshme në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj të fuqishme, të sigurt dhe më prosperuese". REL







