Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris janë në takim me ekipin e tyre të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar sulmin ajror iranian ndaj Izraelit.
Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar forcat amerikane në rajon që të ndihmojnë mbrojtjen e Izraelit kundër sulmit iranian dhe të rrëzojnë raketat, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Biden shkroi në rrjetin social X se “Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndihmuar Izraelin për t’u mbrojtur nga këto sulme dhe për të mbrojtur personelin amerikan në rajon”.
This morning, @VP and I convened our national security team to discuss Iranian plans to launch an imminent missile attack against Israel.
— President Biden (@POTUS) October 1, 2024
We discussed how the United States is prepared to help Israel defend against these attacks, and protect American personnel in the region.
Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris e ndoqën sulmin e Iranit kundër Izraelit nga Dhoma e Situatave në Shtëpinë e Bardhë dhe po marrin raporte të përditësuara rregullisht nga ekipi i sigurisë kombëtare.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin diskutoi sot me ministrin izraelit të Mbrojtjes Gallant, para fillimit të sulmit me raketa nga Irani, rreth “pasojave të ashpra” që do të kishte Irani nëse sulmonte Izraelin.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit Pat Ryder, Sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin gjatë bisedës telefonike me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë gadishmërie për të mbrojtur personelin amerikan, aleatët dhe partnerët përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga Irani dhe janë të vendosura që të parandalojnë ndonjë aktor që të shfrytëzojë tensionet dhe të zgjerojë konfliktin në rajon.”








