
Dy tërmetet shumë të fuqishme goditën veriun e Venezuelës brenda më pak se një minute.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, lëkundja e parë ishte me magnitudë 7.2 pranë qytetit Morón, ndërsa e dyta 7.5 pranë San Felipe. Të dyja kishin epiqendrën rreth 300 kilometra larg kryeqytetit, Caracas.
Bilanci paraprak është tragjik, të paktën 920 persona kanë humbur jetën, mbi 4.000 janë plagosur, ndërsa rreth 50.000 rezultojnë të zhdukur.
Ky numër mbetet i pasigurt për shkak të emigracionit të lartë dhe vështirësive në identifikimin e personave. Sipas OKB-së, katastrofa ka prekur rreth 6,8 milionë banorë.
Situata është dramatike edhe në sistemin shëndetësor.
Mbi 20 spitale kanë pësuar dëmtime të rënda dhe mungojnë pajisjet bazë mjekësore.
Për të garantuar rendin dhe për të parandaluar plaçkitjet, presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, ka shpallur militarizimin e shtetit La Guaira, zona më e goditur nga tërmeti.
Edhe Italia është prekur nga tragjedia. Ministria e Jashtme italiane ka konfirmuar 3 viktima italo-venezuelane, 5 të plagosur dhe 35 persona të zhdukur.
Nga baza ushtarake e Pratica di Mare janë nisur dy avionë me rreth 100 specialistë italianë, përfshirë ekipe të zjarrfikësve për kërkim-shpëtim dhe personel mjekësor të Ares 118 Lazio.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë Venezuelës. OKB-ja koordinon operacionet e shpëtimit, ndërsa 17 vende kanë dërguar ekipe dhe ndihma humanitare.
Ndihma kanë mbërritur edhe nga Bashkimi Evropian, SHBA, Brazili, Meksika dhe vende të tjera. Gjithashtu, Papa Françesku ka dhuruar 100 mijë euro për mbështetjen e të prekurve.

