
CNN- Rezultati i balotazhit të zgjedhjeve të parapkohshme parlamentare të së dielës vjen si një surprizë e madhe, me Francën që duket se është në prag të një ndryshimi të madh politik por jo ai që të gjithë prisnin.
Asnjë sondazh nuk parashikoi para të dielës se një aleancë e krahut të majtë do të fitonte dhe se e djathta ekstreme do të vinte në vendin e tretë.
Është një përmbysje tronditëse e rezultatit të raundit të parë të votimit, nëse rezultatet e sotme përputhen me parashikimet.
Tani për tani, Franca duket e paqeverisshme. Meqë asnjë parti nuk parashikohet të marrë votat e duhura për të qeverisur e vetme, parlamenti do të jetë në një gjendje paralize, të ndarë në tre blloqe.
Manovra politike nga partia qendrore e presidentit francez Emmanuel Macron dhe aleanca e krahut të majtë këtë javë ishte qartësisht e suksesshme.
Dyqind kandidatë u larguan nga gara në një përpjekje për të bllokuar Tubimin Kombëtar të ekstremit të djathtë.
Por aleanca e majtë, e cila është dukur e lëkundur, do ta ketë të vështirë të flasë me një zë.
Blloku qendror i Macron duket se ka rezultate të mira.
Edhe pse parashikohet të humbasë afërsisht 100 deputetë dhe të përfundojë i dyti, ky është një rezultat shumë më i mirë se sa prisnim.
Vendi tani përballet me një kërcim drejt së panjohurës.
Është e pamundur të parashikohet e ardhmja. Ajo që dimë është se e djathta ekstreme nuk do të qeverisë në të ardhmen dhe do të shohim një zhvendosje të pushtetit nga pallati presidencial në parlament.
Bixhozi i Macron për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme u tall gjerësisht në atë kohë.
Ndërsa duket se ka funksionuar pjesërisht duke mbajtur të djathtën ekstreme larg nga pushteti, ajo gjithashtu e ka zhytur Francën në kaos politik të paprecedentë.







