Disa qindra studentë dhe qytetarë u mblodhën dje para ndërtesës së presidencës së Serbisë në Beograd, gjatë fjalimit të paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Aktivistët e organizatës informale studentore “Borba” njoftuan për këtë tubim në rrjetin social Instagram, me mesazhin: “Presidenti flet në lidhje me bllokadat studentore, ejani para Presidencës që zëri ynë të dëgjohet”.
Dhjetëra fakultete shtetërore në Serbi janë bllokuar pas sulmeve ndaj studentëve gjatë protestave në lidhje me aksidentin vdekjeprurës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Studentët që kanë bllokuar katër universitete shtetërore, atë të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit kërkojnë ndër të tjera, publikimin e dokumentacionit të fshehtë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku gjatë shembjes së një strehe të çatisë më 1 nëntor humbën jetën 15 njerëz dhe dy të tjerë u lënduan rëndë.
Počinje blokada Medicinskog fakulteta.#NoviSad pic.twitter.com/c6vxEZkVcp
— Radio 021 (@Radio021) December 11, 2024
Ata gjithashtu kërkojnë hedhjen poshtë të akuzave kundër studentëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave që pasuan aksidentin. Aksidenti ndodhi vetëm disa muaj pas hapjes solemne të stacionit pas një rindërtimi trevjeçar.
Duke e ndjerë kërcënimin e protestave ku kërkohet dorëheqja e tij, Vuçiç i konsideroi ato si “demonstrate politike”. Ndërsa shtoi më tej se do të falseshin studentët e arrestuar për trazira.
“Nëse dënohen për trazira, do të marr vendim për t’i falur”, tha Vuçiç.
Pavarësisht masivitetit në protesta, Vuçiç pretendon se të gjitha këto organizime bëhen nga perëndimi me qëllim që ta rrëzojnë nga pushteti, njëjtë si Assadin në Siri. Versus.al








