Gjithmonë e më shumë po përhapet ideja se SHBA-të mund të përfshihen në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, pavarësisht se kjo do të sillte një kaos total në rajon pasi Khamenei paralajmëroi amerikanët se nëse ndërhyjnë, do të ketë dëme të pariparueshme.
“Irani vepron vetëm për vetëmbrojtje. Edhe përballë agresionit më të egër kundër popullit tonë, Irani deri më tani ka reaguar vetëm kundër regjimit izraelit dhe jo kundër atyre që e mbështesin atë”, tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në X, duke shtuar se “në kundërshtim me regjimin e paligjshëm, gjenocidal dhe pushtues izraelit, ne mbetemi të përkushtuar ndaj diplomacisë”.
Ministri përsëriti gjithashtu se “Irani ka demonstruar në praktikë atë që gjithmonë është zotuar publikisht: ne kurrë nuk kemi kërkuar dhe kurrë nuk do të kërkojmë armë bërthamore”.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka miratuar planet që SHBA-të të sulmojnë Iranin, por ende po shqyrton një vendim përfundimtar, sipas mediave amerikane.
Çështja është vendi i pasurimit Fordow, një strukturë nëntokësore jetësore për programin bërthamor të Iranit. Vetëm SHBA-të kanë aftësinë ta shkatërrojnë atë potencialisht.
Publikisht, Trump ka mbetur i paqartë në lidhje me atë që planifikon të bëjë. “Mund ta bëj, mund të mos e bëj. Askush nuk e di se çfarë dua të bëj”, u ka thënë Trump gazetarëve. “Por mund të them këtë: Irani ka shumë probleme dhe dëshiron të negociojë”. Sipas Bloomberg, SHBA-të mund të kryejnë një sulm drejt Iranit në ditët vijuese.Versus.al







