AKTUALITET /

EMRI/ Arrestohet në Tiranë i dënuari me 13 vite burg në Itali për shfrytëzim pr*stitucioni dhe skllav*rim

Shkruar nga Versus
EMRI/ Arrestohet në Tiranë i dënuari me 13 vite burg në
Momente nga arrestimi

Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim.

Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes FAST Albania dhe FAST Italy.

Në pranga ra Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin “FAST Albania”.

Sipas Policisë, Gjykata e Apelit e Napolit e ka dënuar Nikollin në nëntor të vitit 2021 me 13 vite burgim për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Skllavërimit/Nënshtrimit”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian.

Nga hetimet e autoriteteve italiane rezulton se 48-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali.

Ai dyshohet gjithashtu se ushtronte dhunë ndaj viktimave për t’i mbajtur nën kontroll dhe për të përfituar sa më shumë nga aktiviteti kriminal.

Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e Bekim Nikollit drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia italiane./Versus.al

Poll