BOTA /

Dikur ishte krenaria e regjimit, aeroplanmbajtësja e vetme ruse do të shitet për skrap

Sipas burimeve të afërta me qeverinë, të cituara nga gazeta proqeveritare Izvestia, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përfaqësues të industrisë së ndërtimit të anijeve janë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndërprerjes përfundimtare të riparimeve dhe çmontimit të anijes.

Shkruar nga Versus

Dikur ishte krenaria e regjimit, aeroplanmbajtësja e vetme ruse do të

E vetmja eroplanmbajtëse e Rusisë, Admiral Kuznetsov, e cila dikur përfaqësonte krenarinë e flotës detare ruse dhe simbolin e fuqisë ushtarake të regjimit të presidentit Vladimir Putin, do të përfundojë së shpejti në skrap.

Sipas burimeve të afërta me qeverinë, të cituara nga gazeta proqeveritare Izvestia, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përfaqësues të industrisë së ndërtimit të anijeve janë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndërprerjes përfundimtare të riparimeve dhe çmontimit të anijes.

Admiral Kuznetsov, i ndërtuar në vitin 1985 gjatë epokës sovjetike, ka qenë për dekada të tëra pjesë e imazhit të madhështisë ushtarake ruse. Megjithatë, në realitet, anija ka pasur histori të gjatë me probleme teknike, incidente dhe dështime operative. Në vitin 2018, pas kthimit nga një mision në Siri, ajo u fut në një proces të gjatë riparimi dhe modernizimi në portin e Murmanskut, në veriun e largët të Rusisë. Por përparimi në këto punime ka qenë minimal dhe ka hasur në vonesa të vazhdueshme.

Procesi i modernizimit është shoqëruar nga një sërë problemesh, përfshirë zjarre në bord, aksidente gjatë mirëmbajtjes dhe mungesë fondesh. Në një incident të rëndë në vitin 2019, një vinç u rrëzua mbi anijen gjatë një operacioni në dok, duke shkaktuar dëme serioze në kuvertë. Po ashtu, kanë pasur zjarre të përsëritura që kanë lënë të plagosur teknikë dhe punëtorë, ndërsa një numër specialistësh janë tërhequr nga projekti për shkak të vështirësive teknike dhe financiare.

Rusia do të mbetet pa asnjë aeroplanmbajtëse funksionale – një boshllëk i madh në flotën e saj detare në krahasim me SHBA-në dhe fuqitë e tjera ushtarake botërore. Kjo do të ishte një goditje simbolike për imazhin ushtarak që Kremlini përpiqet të paraqesë, veçanërisht në kohën kur Rusia ndodhet në një luftë të gjatë dhe të kushtueshme në Ukrainë dhe është nën trysninë e sanksioneve ndërkombëtare.

Poll