Pesë pjesëtarw të ekstremit të djathtë u dënuan me burgim deri në 8 vjet pasi u shpallën fajtorë sot, pas një gjyqi që zgjati gati dy vjet, për komplot për të rrëzuar qeverinë gjermane, si dhe për rrëmbimin e planifikuar të një ministri të shëndetësisë.
Katër të pandehurit kryesorë, tre burra të moshës 46-58 vjeç dhe një grua 77-vjeçare, një ish-mësuese, u dënuan me dënime nga 5 vjet e 9 muaj deri në tetë vjet, njoftoi gjykata e qytetit të Koblenz-it. Të gjithë u shpallën fajtorë për “tradhti të lartë”, ndërsa një bashkëpunëtor i tyre u dënua me 2 vjet e 10 muaj burg.
Grupi "Patriotët e Bashkuar" planifikoi që nga janari 2022 "të krijojë me dhunë kushte për luftë civile në Gjermani", sipas aktakuzës së zyrës së prokurorisë federale përgjegjëse për rastet e terrorizmit. Këta "Qytetarë të Rajhut", ndjekës të ideologjisë së Reichsberger, mohuan vlerat demokratike dhe nuk e konsideruan legjitime qeverinë federale. Ata ëndërronin të ktheheshin në Rajhun e Dytë të 1871.
Ata synonin gjithashtu të rrëmbenin Karl Lauterbach, Ministrin e Shëndetësisë në qeverinë e Olaf Scholz , i cili ishte veçanërisht i papëlqyer nga organizatat e ekstremit të djathtë për shkak të masave shumë të rrepta që ai kishte marrë për t'u marrë me pandeminë Covid-19. Plani i tyre do të kishte tre faza, duke filluar me një sabotim të objekteve të prodhimit të energjisë me synimin për të shkaktuar një ndërprerje të përgjithshme. Rrëmbimi i ministrit dhe vrasja e truprojave të tij do të pasonte nëse do të ishte e nevojshme.
Këto veprime do të krijonin kushtet për "luftë civile" dhe daljen e një lideri të ri, rreth të cilit anëtarët e grupit do të merrnin poste të rëndësishme.
Pas shpalljes së vendimit, Lauterbach falënderoi policinë dhe drejtësinë për “ndëshkimin” e autorëve të komplotit. "Shteti ka dëshmuar se mund të mbrohet nga komplotistët e dhunshëm," tha ai.
Disa muaj pas arrestimit të anëtarëve të grupit, në prill 2022, autoritetet gjermane shpërbënë një rrjet tjetër të armatosur që ishte krijuar rreth një aristokrati gjerman dhe ish-personel ushtarak. Ky rrjet, i cili kishte përvetësuar edhe ideologjinë e Reichsberger-it, donte të rrëzonte institucionet dhe të sulmonte Bundestagun.








