Festimet kanë shpërthyer në Sheshin e Shën Pjetrit pasi tymi i bardhë u ngrit nga oxhaku i Kapelës Sistine, duke sinjalizuar zgjedhjen e Papës së ri. Kambanat e Bazilikës së Shën Pjetrit ranë menjëherë pas sinjalit, duke konfirmuar momentin historik për Kishën Katolike.
Zgjedhja e Papës së 267-të në histori ndodhi në ditën e parë të plotë të votimeve nga 133 kardinalët zgjedhës, të cilët u izoluan në Kapelën Sistine këtë pasdite, duke ndjekur procedurat tradicionale të Konklavës mes mureve mesjetare të Vatikanit.
Turma të gëzuara, të mbledhura në shesh që prej orëve të paradites, shpërthyen në brohoritje dhe duartrokitje sapo panë retë e para të tymit të bardhë që dolën nga oxhaku – një nga simbolet më të fuqishme dhe të njohura të këtij procesi shekullor.
Sipas traditës, brenda 30 deri në 60 minuta pas ngritjes së tymit të bardhë, Papa i ri do të shfaqet në ballkonin qendror të Bazilikës së Shën Pjetrit. Ai do të shpallë emrin që ka zgjedhur si Papë dhe do të japë fjalimin e tij të parë të shkurtër, të ndjekur nga një lutje dhe bekimi apostolik “Urbi et Orbi”.
Kurorëzimi formal i Papës së ri, që zakonisht përfshin një ceremoni të thjeshtë por madhështore, do të zhvillohet pas disa ditësh. Dy paraardhësit e tij, Papa Françesku dhe Papa Benedikti XVI, janë inauguruar në po të njëjtin shesh, përpara mijëra besimtarëve dhe udhëheqësve nga e gjithë bota. /Versus.al/








