BOTA /

E mandatoi Vjosa Osmani, “gjasa të pakta” për Qeverinë Konjufca

Shkruar nga Versus

E mandatoi Vjosa Osmani, “gjasa të pakta” për

Gjasat që Glauk Konjufca, mandatar për kryeministër i emëruar nga presidentja Vjosa Osmani, të formojë Qeverinë e re të Kosovës, duken minimale.

Me ish-opozitën e bashkuar rreth idesë për zgjedhje të reja, përpjekja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar ekzekutivin, rrezikon të përfundojë në të njëjtin bllokim politik, thonë analistët.

Partitë ish-opozitare - Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate - e kanë bërë të qartë se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca.

Qëndrimi i tyre u shpall publikisht edhe para se presidentja Osmani ta mandatonte zyrtarisht atë më 4 nëntor.

Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje t’i kontaktonte përfaqësuesit e të gjitha partive një ditë më vonë, për t’i pyetur për hapat që do t’i ndjekin, por pa sukses.

Kërkesës për intervistë nuk iu përgjigj as Konjufca.

“Qëndrimi i ish-opozitës është betonuar”
Sipas profesorit Rrahman Paçarizi, nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, vendimi i partive ish-opozitare për të mos mbështetur një qeveri të udhëhequr nga Vetëvendosja “është i betonuar” prej kohësh.

Ai shton se nuk pret që Konjufca të sigurojë mbështetjen e asnjë partie tjetër, veçanërisht pasi përbërja e propozuar e kabinetit mbetet e njëjtë me atë që mandatari i parë për kryeministër, Albin Kurti, ka dorëzuar në përpjekjen e tij të dështuar, më 26 tetor.

Megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që ndonjë deputet individual nga ish-opozita të vendosë ta votojë Qeverinë e Konjufcës. REL

Poll