BOTA /

E papritur: Marina amerikane po ndërton një flotë dronësh përballë Kinës

Të dyja rastet lidhen me një kombinim problemesh teknike dhe gabimesh njerëzore, përfshirë ndërprerje komunikimi midis sistemeve të brendshme dhe softuerit të jashtëm autonom, sipas një burimi që kërkoi anonimitet. Marina, Saronic dhe BlackSea refuzuan të komentojnë.

Shkruar nga Versus

Gjatë një testi të Marinës amerikane muajin e kaluar në brigjet e Kalifornisë, i konceptuar për të shfaqur dronët më të avancuar detarë të Pentagonit, një nga anijet pa ekuipazh u ndal papritur për shkak të një defekti.

E papritur: Marina amerikane po ndërton një flotë dronësh

Ndërsa zyrtarët përpiqeshin të rregullonin defektin në softuer, një tjetër anije-dron u përplas me krahun e djathtë të mjetit të ndalur, kaloi mbi kuvertë dhe përfundoi sërish në det, një incident i fiksuar në video të siguruara nga Reuters.

Ky episod, i raportuar për herë të parë, përfshiu dy mjete të prodhuara nga kompanitë rivale të teknologjisë së mbrojtjes, Saronic dhe BlackSea Technologies, dhe është pjesë e një serie pengesash të fundit në përpjekjen e Pentagonit për të ndërtuar një flotë autonome detare, sipas njëmbëdhjetë burimeve të njohura me programin.

Disa javë më herët, në një test tjetër të Marinës, kapiteni i një anijeje ndihmëse ra në det pasi një tjetër mjet autonom i kompanisë BlackSea, që po tërhiqej, përshpejtoi papritur dhe përmbysi anijen ndihmëse. Kapiteni u shpëtua dhe refuzoi kujdesin mjekësor. Ky incident u raportua fillimisht nga Defense Scoop.

Të dyja rastet lidhen me një kombinim problemesh teknike dhe gabimesh njerëzore, përfshirë ndërprerje komunikimi midis sistemeve të brendshme dhe softuerit të jashtëm autonom, sipas një burimi që kërkoi anonimitet. Marina, Saronic dhe BlackSea refuzuan të komentojnë.

Presioni për përballjen me Kinën

Liderët ushtarakë amerikanë, duke parë ndikimin e madh të dronëve detarë në luftën në Ukrainë, kanë përsëritur se u nevojiten tufa të dronëve ajrorë dhe detarë për të penguar një sulm të mundshëm kinez ndaj Tajvanit. Vetë Tajvani ka nisur blerjen e dronëve detarë.

Ndryshe nga dronët ukrainas, që kushtojnë rreth 250 mijë dollarë dhe kontrollohen kryesisht në distancë, SHBA po synon të ndërtojë një flotë autonome të kushtueshme – disa milionë dollarë për mjet – që lëviz dhe operon pa komandë njerëzore.

“Duhet të përshtatim taktikat tona ndërsa mësojmë se çfarë munden dhe çfarë nuk munden të bëjnë këto sisteme,” tha Bryan Clark, ekspert për luftën autonome në Hudson Institute.

Probleme me kontraktorët

Pas incidenteve, Defense Innovation Unit (DIU) e Pentagonit pezulloi një kontratë prej rreth 20 milionë dollarësh me kompaninë L3Harris, që furnizon softuerin autonom për disa nga këto mjete. Ky pezullim nuk ishte bërë publik më parë.

“L3Harris qëndron pas sigurisë, integritetit dhe kapacitetit të produktit tonë,” deklaroi Toby Magsig, përgjegjës për softuerin autonom të kompanisë.

Programi “Replicator” dhe angazhimi financiar

Në vitin 2023, Pentagon hapi programin Replicator me vlerë 1 miliard dollarë, për të blerë mijëra dronë ajrorë e detarë, bashkë me softuerin për t’i kontrolluar. Pajisjet e para nga ky program pritet të shpallen këtë muaj.

Marina ka investuar të paktën 160 milionë dollarë në kompaninë BlackSea, e cila prodhon çdo muaj dhjetëra anije autonome të tipit GARC. Ndërkohë, Saronic, e vlerësuar 4 miliardë dollarë nga fondet e Andreessen Horowitz dhe 8VC, ka prodhuar dronin detar Corsair, por ende pa kontratë të madhe qeveritare.

“Këto sisteme do të luajnë rol kritik në luftën detare të së ardhmes, duke zgjeruar rrezet e flotës, duke përmirësuar ndërgjegjësimin dhe duke rritur efektivitetin luftarak,” tha në qershor shefi i përkohshëm i operacioneve detare, admirali Jim Kilby, gjatë vizitës në fabrikën e BlackSea.

Krizë brenda Marinës

Presidenti Donald Trump, pas rikthimit në detyrë, e ka shpallur prioritet ndërtimin e tufave të dronëve. Ligji i tij i fundit “Big Beautiful Bill” përfshiu gati 5 miliardë dollarë për sistemet autonome detare.

Megjithatë, programi ka hasur skepticizëm dhe ka hyrë në krizë. Zyra e prokurimeve për dronët detarë – PEO USC – është vënë nën rishikim pas një sërë pengesash dhe mund të ristrukturohet ose mbyllet.

Dy muaj më parë, Marina shkarkoi drejtuesin e saj, Admiralin Kevin Smith, për “humbje besimi” pas një hetimi të Inspektorit të Përgjithshëm.

Në një takim të muajit të kaluar, zëvendëssekretari i Mbrojtjes Steven Feinberg shprehu hapur pakënaqësi për kapacitetet e Marinës në fushën e mjeteve autonome dhe vuri në dyshim koston e tyre.

“Po i kërkohet një sistemi që është mësuar të ndërtojë gjëra të mëdha për vite të tëra, që tani të lëvizë me shpejtësi. Kjo është një sfidë e paprecedentë,” tha T.X. Hammes, ekspert për armët autonome dhe studiues i Atlantic Council.

Ndërkohë, Marina ka nisur të pranojë propozime për projekte edhe më të mëdha, si nëndetëse pa ekuipazh apo anije transporti autonome.

Tags:

kine marine

Poll