Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së hënës, më 4 gusht, në autostradën A1 midis Arezzos dhe Firences, duke shkaktuar tre viktima dhe 15 të plagosur.
Sipas Corriere della Sera, përplasja ndodhi pak para orës 11:00, kur një kamion, për shkak të një bllokimi të trafikut, nuk arriti të frenonte në kohë dhe u përplas me një sërë automjetesh të ndaluara. Përplasja përfshiu një tjetër kamion, një makinë, një autobus turistik dhe një ambulancë.
Tragjikisht, tre persona humbën jetën në ambulancë: pacienti 75-vjeçar që po transportohej dhe dy infermierët që ndodheshin në pjesën e pasme të saj. Goditja ishte aq e fortë, saqë ambulanca u shtyp dhe më pas u përfshi nga flakët, të cilat u shuan me shpejtësi nga shoferë të tjerë që ndodheshin aty pranë.
15 persona u plagosën, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike në spitalin Careggi në Firence. Katër të tjerë kanë marrë lëndime më serioze, ndërsa pjesa tjetër raportohet të ketë pësuar dëmtime të lehta.
Dëshmi nga vendngjarja
Paolo Romaglioli, një avokat nga Arezzo që ndodhej në afërsi të aksidentit, rrëfeu për mediat italiane momentet e tmerrit:
“U shpëtova për disa metra. Kamioni u përplas me një automjet të madh dhe pastaj shtypi ambulancën. Ishte një skenë e tmerrshme. Më pas ajo u përfshi nga flakët, por fatmirësisht disa shoferë arritën ta shuanin zjarrin para se të përhapej.”
Autostrada A1 u mbyll në të dy drejtimet për disa orë, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe devijime të shumta.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. /Versus.al/







