Një grup burrash të maskuar dhe të armatosur me thika vranë dy djem të moshës 12 dhe 15 vjeç në një sulm "të tmerrshëm" të shtunën në mbrëmje në Melbourne të Australisë, tha policia.
"Ndërsa hetimi sapo ka filluar, incidentet mbajnë shenjat e një krimi të kryer nga një bandë të rinjsh ", tha Graham Banks, një inspektor policie në shtetin e Viktorias.
Dy viktimat u vranë dje, natën e së shtunës, në vende afër njëra-tjetrës, tha policia, sipas së cilës banda përbëhej nga rreth 8 anëtarë.
Forcat e rendit gjetën fillimisht një djalë 12-vjeçar i cili ishte plagosur rëndë. "Pavarësisht përpjekjeve të anëtarëve të ekuipazhit të ambulancës për të ndihmuar në reanimacionin kardiopulmonar, ai nuk mundi të shpëtohej", tha Banks.
Pak kohë më vonë, policia gjeti shokun e djalit, një 15-vjeçar, në një rrugë aty pranë me plagë "të rënda" nga thikë. Ai gjithashtu nuk mundi të shpëtohej pavarësisht përpjekjeve për reanimacion kardiopulmonar.
Sipas dëshmitarëve okularë dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, vrasjet u kryen nga i njëjti grup prej rreth tetë personash, të cilët kishin fytyrat e mbuluara dhe ishin të armatosur me hanxharë dhe thika të mëdha, tha Banks.
"Fëmijët që u vranë nuk ishin anëtarë të asnjë bande dhe kjo nuk na lë të qetë", vazhdoi ai.
Për momentin është e vështirë të sqarohet nëse ky sulm ishte i synuar apo u krye pas një gabimi në identifikimin e viktimave, sqaroi policia.
Vrasjet dhe krimet e lidhura me to u rritën me 9% në vend në vitin 2024, me viktimat që arritën në 448, sipas të dhënave zyrtare. Shitja ose posedimi i një hanxhari është i ndaluar në shtetin e Viktorias, pas një përplasjeje në maj midis bandave rivale të armatosura me hanxharë në një qendër tregtare në Melbourne.







