SHBA- Presidenti Donald Trump ka njoftuar së fundmi se disa udhëheqës evropianë do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën ose të martën për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe mënyrat për t’i dhënë fund asaj.
Ai shtoi se ka në plan të flasë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa paralajmëroi tjetër fazë sanksionesh për Moskën. Nisma vjen pas bombardimeve intensive që Rusia kreu së fundmi në Ukrainë ku u përdorën mbi 800 dronë e dhjetëra raketa në një sulm që goditi edhe ndërtesën kryesore qeveritare në Kiev, duke lënë 4 të vdekur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti përpjekjet për sanksione të reja, duke i quajtur ato “ideja e duhur”. Ai i bëri thirrje vendeve evropiane që të ndalojnë blerjen e energjisë ruse, duke thënë se “nuk mund të kemi asnjë marrëveshje me Rusinë nëse duam t’i ndalojmë ato”.
Zelensky gjithashtu mbështeti propozimin e Trump për vendosjen e tarifave dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë tregtinë me Rusinë, si një mënyrë për të ndalur financimin e luftës nga Moska.
Sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, Rusia ka gjeneruar rreth 985 miliardë dollarë nga eksporti i naftës dhe gazit që nga marsi i vitit 2022. Kina dhe India mbeten blerësit më të mëdhenj, ndërsa BE ka shpallur objektivin për të ndaluar të gjitha blerjet deri në vitin 2027.
SHBA-të kanë vendosur tashmë tarifa prej 50% ndaj mallrave nga India për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse. Nga ana tjetër, Rusia ka intensifikuar bashkëpunimin energjetik me Kinën dhe ka rënë dakord me OPEC+ për të rritur prodhimin e naftës, duke ulur çmimet në tregjet globale.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se rritja e sanksioneve dhe tarifave dytësore nga vendet evropiane do të çonte ekonominë ruse në “kolaps total”, duke detyruar presidentin Putin të rikthehet në tryezën e negociatave. Versus.al







