Detaje të reja dalin rreth krimit të rëndë që tronditi sot komunën e Vushtrrisë në Kosovë, ku pronari i një furre buke vrau me armë zjarri punonjësen rreth të 40-ve dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Siç raportojnë mediat e Kosovës, shkak i vrasjes dyshohet se ka qenë xhelozia e pronarit, pasi viktima 40 vjeçe kishte lënë punën te furra dhe kishte nisur të punonte diku tjetër, sipas të afërmit të viktimës.
“Nuk ka pasur ndonjë lidhje familjare. Ka qenë grua shembullore. Para një kohe kanë qenë punëtore e këtyre me gjithë bashkëshortin por rrethanat se si kanë ardhë deri te vrasja nuk i dijmë as ne si familje. Kërkojmë mirëkuptimin e juaj që familjarët të mos shqetësohen. Gruaja ka qenë rreth të 40-ave, probleme nuk ka pasë…Dhashtë Zoti të jetë viktima e fundit. Sipas një informate xhelozia se përse ke shku te një tjetër vend me punue dhe jo te unë”, ka thënë Rrahim Ajeti, familjar i viktimës.
“Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, ka thënë Prokuroria e Kosovës në një njoftim për publikun.
Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, dy trupat e pajetë do të dërgohen dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.








