Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama u angazhua sot në një “përplasje virtuale” me deputetin britanik Nagal Farage të njohur edhe si “babai” i Brexit që shënoi daljen e Britanisë nga BE. *Shkak u bë një reagim i ashpër i Farage pas një interviste të kryeministrit Edi Rama për The Telegraph ku sipas tij, kreu i qeverisë shqiptare ishte tallur me situatën aktuale të Britanisë me emigrantët. *Farage i kërkoi Ramës të merrte mbrapsht kriminelët shqiptarë duke thënë edhe shifra ku shprehej se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg. *Kjo solli kundëpërgjigjien e Ramës i cili sfidoi Farangen duke i thënë se nëse një gjë e tillë është e vërtetë atëherë ai do t’i merrte të gjithë mbrapsht për në Shqipëri. Deputeti britanik iu përgjigj sërish duke thënë se do të sigurohet që Rama të mbajë fjalën.
Deputeti britanik pranon sfidën e Ramës për të burgosurit shqiptarë: Do sigurohemi që të mbajë fjalën

Deputeti britanik Nigel Farage ka reaguar sërish duke pranuar sfidën e kryeministrit Edi Rama sa i takon emigrantëve shqiptarë të burgosur në Britaninë e Madhe.
Më herët Rama i pati premtuar Farages se nëse rezulton që pretendimi i tij “1 në 50 shqiptarë në Britani është në burg”, atëherë do t’i merrte të gjithë mbrapsht.
Duke folur për The Telegraph, Farage tha se do ta pranonte sfidën duke u shprehur: “Do të sigurohemi që Edi Rama të mbajë fjalën”.
Përplasja online mes tyre nisi pasi Farage e konsideroi tallje intervistën e Ramës për “The Telegraph” ku sipas tij kryeministri shqiptar po përqeshte Britaninë për Brexit dhe për situatën me emigrantët. Ai tha se gjëja më e mirë që mund të bënte Rama ishte të merrte mbrapsht emigrantët shqiptarë të dënuar. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ramës i cili me ironi iu shpreh se nëse një gjë e tillë është e vërtetë, do t’i merrte mbrapsht shqiptarët e dënuar pa u përqendruar në atë çfarë i shtyn shqiptarët të braktisin vendin dhe të drejtohen për në Britani ku bien pre e bandave kriminale. Versus.al
''1 në 50 shqiptarë në burg''/ Rama sfidon deputetin britanik: Sill faktet! Nëse ke të drejtë, i marr të gjithë mbrapsht

Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe ironik ndaj deklaratave të deputetit britanik Nigel Farage, kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh që i bashkon faktet, satirën dhe një ftesë miqësore për në Shqipëri.
Deklarata e Ramës vjen pas pretendimeve të Farage se "një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg", një shifër që kryeministri e cilëson si një shembull klasik të propagandës pas-Brexit dhe "post-së-vërtetës".
Në vend të polemikave, Rama zgjedh të ftojë Farage në një duel publik me statistika të vërteta.
Ai thekson se krimi në mesin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk është më i lartë se mesatarja britanike – madje mund të jetë edhe më i ulët.
Për më tepër, ai nënvizon se shumë prej shqiptarëve të ndaluar janë produkt i një sistemi vizash të tejkaluar, e jo domosdoshmërisht kriminelë.
Rama ofron Farage-it mundësinë për të ardhur në Shqipëri si "i ftuari i tij i nderit", për të përjetuar "diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë dhe fakte të vërteta".
Kryeministri mbyll mesazhin me një premtim: nëse pretendimi i Farage del i saktë, ai është i gatshëm t’i "marrë të gjithë mbrapsht" shqiptarët në Britani. Por nëse jo – Farage do të duhet të jetë ai që, herën tjetër, të mbrojë shqiptarët nga paragjykimet publike.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Ooopsss… Zoti @Nigel_Farage sapo më ka sfiduar për faktet!
Çfarë nderi — për një “burrë gjigant”, siç më përshkroi ai (duke nënkuptuar, sigurisht, nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e virtuozit të padiskutueshëm të politikës britanike të titujve bombastikë.
Ai tha — dhe po e citoj fjalë për fjalë:
“Ja ç’të them, z. Rama, e dije që një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg? Ndaj, trego pak vullnet të mirë dhe merr të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”
Epo, z. Farage — më lejoni t’jua kthej sfidën me diçka jashtëzakonisht të mërzitshme për stilin tuaj: shifra reale.
Ajo që thatë, se “një në 50 shqiptarë në burg” — nuk është fakt. Është absurde. Një klasik i recetës pas-Brexit të “post-së-vërtetës”: “Nëse tingëllon frikshëm, duhet të jetë e vërtetë.”
E dini çfarë del kur i kontrollon vërtet numrat? Befasi! Edhe po të supozonim që çdo shqiptar aktualisht në burg në Mbretërinë e Bashkuar është realisht fajtor (edhe pse shumë prej tyre janë thjesht viktima të një sistemi vizash të vjetruar dhe kufizues), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në MB nuk është më e lartë se ajo e vetë popullsisë britanike — përkundrazi, ndoshta edhe më e ulët.
Tani, meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe jemi të ndjeshëm ndaj “hipokrizisë”, ja çfarë propozoj:
Të sjellim të dy shifrat tona në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “një në 50” rezulton i saktë — unë, personalisht, angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Nuk është një titull konkurrues — është një angazhim publik.
Por nëse ajo statistikë frikësuese del të jetë thjesht karburant për tabloidë — nuk ka nevojë për falje. As për dramë. Thjesht do të vini në Shqipëri — si i ftuari im i nderit.
Do të përjetoni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë dhe, më e rëndësishmja, fakte të vërteta — për Shqipërinë dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm. Dhe e vetmja gjë që do t’ju kërkoj, është një angazhim i thjeshtë publik nga ana juaj, bërë ndërsa shijoni vendin tonë: që herën tjetër kur dikush përgojon shqiptarët, të jeni i pari që t’i thoni me stilin tuaj dramatik: “Mos e bëj më!”
Pra, çfarë thoni? Një verifikim faktesh në këmbim të një deportimi total — ose një pushim i plotë, me disa nga njerëzit më të ngrohtë që do të takoni ndonjëherë. Eja, Nigel. Edhe po të humbni në faktet, do të fitoni një komb të tërë miqsh përjetë.
Po pres t’ju dëgjoj./Versus.al







