
Një krim i rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi, ku një vajzë 18-vjeçare, Oya Budak, është vrarë me armë zjarri nga i fejuari i saj, në një akt të ashtuquajtur “për çështje nderi”. Tragjedia ndodhi pasi i riu mësoi se pas fejesës, Oya ishte përdhunuar dhe kishte mbetur shtatzënë në muajin e pestë.
Sipas raportimeve, Samet B., 19 vjeç, e telefonoi Oyan mbrëmjen e së enjtes dhe i kërkoi të takoheshin. Ajo shkoi në takim e shoqëruar nga vëllai i saj 13-vjeçar, por Sameti nxori armën dhe e qëlloi dy herë — në gjoks dhe në kokë.
Të alarmuar nga të shtënat, qytetarët njoftuan menjëherë policinë. E reja u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente, por nuk mundi të mbijetonte, as ajo dhe as foshnja që mbante në bark.
Policia arrestoi autorin në shtëpinë e xhaxhait të tij, ndërsa më herët ishte arrestuar edhe personi i dyshuar për abuzimin seksual ndaj Oyas, i cili u dërgua në burg.
Pas ndalimit, kur një gazetar e pyeti 19-vjeçarin pse kishte kryer aktin, ai u përgjigj shkurt:
“Nuk pendohem. Largohu!”
Ngjarja ka ngjallur tronditje, zemërim dhe diskutime të ashpra në opinionin publik dhe mediat turke mbi fenomenin e vrasjeve të grave, kulturën e “nderit”, si dhe trajtimin ligjor dhe shoqëror të dhunës me bazë gjinore. /Versus.al/







