BOTA /

Tragjedi në Itali! Makina me 9 të rinj përfundon në kanal, humbin jetën 3 adoleshentë

Shoferi 19-vjeçar dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Gjashtë të rinj të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet flasin për një bilanc tragjik. Shoferi 19-vjeçar dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Gjashtë të rinj të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet flasin për një bilanc tragjik.

Shkruar nga Versus

Tragjedi në Itali! Makina me 9 të rinj përfundon në kanal,

Tre të rinj kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur rëndë në orët e para të mëngjesit të së dielës në veri të Italisë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Aksidenti tragjik ndodhi pak pas orës 05:00 në Senago, një komunë në veri të Milanos. Sipas zjarrfikësve italianë, në automjet ndodheshin nëntë të rinj, të cilët po udhëtonin së bashku kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit.

"Ekuipazhet tona ndërhynë menjëherë për një automjet me nëntë persona në bord, që kishte dalë nga rruga dhe kishte rënë në një kanal. Bilanci është tragjik: tre viktima dhe gjashtë të plagosur", njoftuan autoritetet.

Sipas Agjencisë së Emergjencave dhe Shërbimit Shëndetësor të Lombardisë, mes viktimave janë dy djem 17-vjeçarë dhe një vajzë e re. Ndërkohë, gjashtë të mbijetuarit, të moshës nga 17 deri në 19 vjeç, kanë pësuar dëmtime të shumta në trup dhe janë transportuar në spitalin Niguarda të Milanos, ku po marrin trajtim mjekësor.

Mes të plagosurve ndodhet edhe shoferi 19-vjeçar i automjetit. Sipas mediave italiane Ansa dhe Agi, ai rezultoi pozitiv në testin e alkoolit, çka ka ngritur dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga drejtimi i mjetit në gjendje të dehur.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në politikën italiane. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Matteo Salvini, e cilësoi aksidentin si të papranueshëm.

"Tre jetë të reja u prenë në mes, gjashtë adoleshentë mbetën të plagosur. Nëntë persona ndodheshin në të njëjtën makinë dhe drejtuesi ishte i dehur. Kjo është e papranueshme", shkroi Salvini në rrjetin social X.

Ai shtoi se, pavarësisht masave ligjore për rritjen e sigurisë rrugore, aksidentet vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve tek të rinjtë në Itali.

"Mund të miratojmë të gjitha ligjet e mundshme për të forcuar sigurinë në rrugë, por ende nuk mjafton. Shkaku kryesor i vdekshmërisë tek të rinjtë mbeten aksidentet rrugore, jo sëmundjet apo droga", deklaroi ministri.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa dyshimet e para përqendrohen te shpejtësia dhe drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit.

Poll