Rexhep Tajip Erdogan iu përgjigj Benjamin Netanyahut dhe deklaratave të tij mbi Jerusalemin ( "Z. Erdogan, nuk është qyteti juaj, është qyteti ynë" ) të mërkurën pasdite. Presidenti turk u zotua se myslimanët nuk do të heqin dorë kurrë nga të drejtat e tyre për Jerusalemin Lindor dhe premtoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë palestinezët mes sulmeve izraelite. "Ne nuk do të lejojmë që Jerusalemi të përdhoset nga duar të pafe, megjithëse e di që hidhërimi i admiruesve të Hitlerit mund të mos zbehet kurrë", tha Erdogan në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Ministrisë së Jashtme të Turqisë në Ankara.
Ai vuri në dukje krenarinë e përkatësisë në “një komb që ngriti flamurin e Islamit për shekuj me radhë dhe i shërbeu Jerusalemit për 400 vjet ”. Ai iu referua faktit se nën sundimin mysliman “qyteti u bë një vend paqeje dhe bashkëjetese”, ndërsa kishte respekt për të drejtat e të krishterëve dhe hebrenjve.
“Lufta e Turqisë që Jerusalemi të bëhet një qytet paqeje, sigurie dhe harmonie vazhdon pa ndërprerje apo tërheqje”, tha Erdogan. Ai riafirmoi angazhimin e Ankarasë për një shtet palestinez të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Duke kritikuar Benjamin Netanyahun , Erdogan e quajti Jerusalemin një qendër shpirtërore që është e çmuar për të gjithë myslimanët.
"Askush nuk mund të na ndalojë të mbështesim popullin e shtypur të Gazës që po lufton për të mbijetuar nën sulmet e ashpra të Izraelit ", tha ai.
Erdogan premtoi se Turqia do të "mbetet e palëkundur sot dhe nesër kundër atyre që përpiqen ta shndërrojnë rajonin tonë në një det gjaku dhe atyre që shkaktojnë paqëndrueshmëri në gjeografinë tonë".







