BOTA /

Çfarë thoshte vite më parë? Grenell sulmon John Bolton, si njeriun që donte të ndante Kosovën

Vetëm se, ai pohon se pati dëgjuar shumë shpesh teorinë e shkëmbimit të territoreve, edhe nga vetë eksponentë politikë të të dy palëve.

Shkruar nga Versus

 

Çfarë thoshte vite më parë? Grenell sulmon John Bolton, si

John Bolton është në një furtunë të re në jetën e tij, pas shërbimit si këshilltar i Sigurisë Kombëtare nën mandatin e parë të Donald Trump, teksa Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka zhvilluar bastisje në rezidencën e tij, lidhur me një hetim të profilit të lartë që përfshi të dhëna të ndjeshme.

Mirëpo mbi Boltonin, përtej seriozitetit të situatës së tanishme, duhet të rëndojnë edhe hijet e së shkuarës, me në krye një “kthim pas të kohës” nga Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Trump sot, për krizat globale, kur në të shkuarën ka shërbyer si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Grenell, përmes një publikimi në median sociale X, ka sjellë në vëmendje një intervistë të tijën më 18 qershor 2020 në Fox News.

Kohërat ishin të tjera dhe të ndryshme, por i njëjti personazh ndodhej në furtunën e syrit mediatik: John Bolton. Edhe pse për arsye krejt të ndryshme.

Përkundër hetimeve shumë të forta të tanishme, asokohe Bolton pati shkruar një libër, për të cilin u akuzua për përfshirjen e materialeve sekreteve presidenciale dhe për keqpërdorim të tyre.

Grenell vetë, ishte në ballë të betejës mediatike dhe ai theksin e vinte në dy pika: Një luftë e mundshme me Iranin dhe dialogu Kosovë-Serbi.


Për të parin, e bënte të qartë se Trump nuk donte në asnjë mënyrë të përfshihej në luftë. Aq më pak me Iranin. Ishte Bolton, sipas Grenell, ai i cili kërkonte këtë gjë.

Por më së shumti, ai u ndal te çështja e Kosovës dhe te një aspekt veçanërisht: Shkëmbimi i territoreve.

Ky i fundit pati dalë në skenën mediatike si një variant i mundshëm.

Koha kur Grenell jep intervistën, paraqet një hark kur marrëveshja e Washington ende nuk ishte firmosur mes Avdullah Hotit dhe Alexandar Vuçiçit.

Vetëm se, ai pohon se pati dëgjuar shumë shpesh teorinë e shkëmbimit të territoreve, edhe nga vetë eksponentë politikë të të dy palëve.

Kur pyeste – sipas Grenell – se ku e kishin dëgjuar këtë variant, palët drejtonin gishtin te një emër i vetëm: John Bolton!

“Dhe kjo nuk është politika e Trumpit”, shtoi Grenell në intervistën e asaj kohe në Fox, “por kur gërmon thellë, të dyja palët thonë: ‘Epo, kjo është ajo që tha John Bolton’”.

Njëjtë edhe sot, në një kontekst të ndryshëm, Grenell paraqet tashmë Boltonin nën hetim, ndërsa “goditjen” e jep me një diçiturë të thjeshtë: “Pas në kohë, kur John Bolton i injoronte politikat e shefit të tij dhe ndiqte agjenda vetjake (Iran, Kosovë, Serbi)”.

Çështja duket se do të vijojë gjatë.

Tags:

grenell

Poll