
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar nëpërmjet një postimi në facebook lidhur me një lëvizje të trupave serbe në afërsi të vijës kufitare mes dy vendeve.
Kurti shkruan se ushtarët serbë janë afruar 50 metra pranë vijës kufitare me Kosovën pranë territorit të komunës së Kamenicës. Sipas tij, lëvizjet provokuese kanë si qëllim nxitjen e tensioneve dhe destabilitetit duke shtuar se ushtarët ishin larguar menjëherë sapo kishin kuptuar se po filmoheshin.
“Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.
Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”- shkruan kryeministri i Kosovës.
Më tej Kurti shprehet i qartë se kushdo që tenton të kërcënojë integritetin territorial të vendit, do të përballet me strukturat e inteligjencës së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë. Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë.
Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës. Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situates”- theksoi Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti ka pretendime të tilla për ushtrinë serbe, ndërsa së fundmi ka kërkuar që NATO të kthejë zonën e sigurisë në kufirin me Serbinë. Versus.al








