BOTA /

Franca mbyll reaktorët bërthamorë mes valës rekord të të nxehtit në Evropë

Gjigandi energjetik shtetëror Électricité de France (EDF) ka bërë të ditur se mbylljet janë ndërmarrë për shkak të rritjes së temperaturave të ujit në lumenj, të cilët përdoren për ftohjen e reaktorëve bërthamorë

Shkruar nga Versus

Franca mbyll reaktorët bërthamorë mes valës rekord të

Franca ka mbyllur përkohësisht disa reaktorë bërthamorë si masë parandaluese, ndërsa vendi dhe pjesa më e madhe e Evropës po përballen me një valë rekord të të nxehtit që ka sjellë edhe viktima.

Gjigandi energjetik shtetëror Électricité de France (EDF) ka bërë të ditur se mbylljet janë ndërmarrë për shkak të rritjes së temperaturave të ujit në lumenj, të cilët përdoren për ftohjen e reaktorëve bërthamorë.

Reaktorët e ndalur ndodhen në centralet e Nogent-sur-Seine në lumin Seine dhe Bugey në lumin Rhône, ndërsa një tjetër reaktor është nxjerrë nga funksioni në centralin Golfech në jugperëndim të vendit.

Sipas rregullave mjedisore, centralet bërthamore duhet të shmangin shkarkimin e ujit të ngrohur në lumenj për të mos dëmtuar ekosistemet ujore, çka ka detyruar uljen e prodhimit në disa zona të rrjetit energjetik francez.

Autoritetet franceze raportojnë se vala e të nxehtit ka shkaktuar të paktën 18 viktima, ndërsa dhjetëra të tjera janë mbytur që nga mesi i muajit qershor, në kushte ekstreme temperaturash që kanë kapur rekorde historike.

Pavarësisht reduktimit të prodhimit në disa impiante, operatori i rrjetit elektrik RTE France ka deklaruar se vendi vazhdon të ketë kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën për energji elektrike.

Ndërkohë, autoritetet meteorologjike kanë vendosur pjesën më të madhe të Francës në alarm të kuq për rrezik nga temperaturat ekstreme, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Vala e të nxehtit ka prekur edhe vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, Spanjën dhe Zvicrën, ku janë raportuar ndërprerje në jetën e përditshme dhe rritje e presionit mbi sistemet energjetike dhe infrastrukturore.Versus.al

Poll