Rrjeti i vjetër dhe i rrënuar i bunkerëve të Gjermanisë ka nevojë për një riorganizim të madh. Kështu u shpreh Ralph Tiesler, kreu i agjencisë federale i cili është ngarkuar me mbrojtjen civile në gjithë vendin në rast të një sulmi.
"Për një kohë të gjatë, në Gjermani ekzistonte një besim i përhapur se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një lufte të madhe agresioni në Evropë"- u shpreh Tiesler.
Mediat e huaja shkruajnë se fjala e Tiesler përmbante frikë që tashmë ka bërë jehonë në gjithë kontinentin duke ngjallur dyshimet se Rusia mund të përpiqet të kryejë një sulm ndaj Evropës brenda 4 viteve të ardhshme. Ky afat kohor konsiderohet gjerësisht si periudha minimale që Rusia do të duhej të riarmatosej pas një fushate të përgjakshme dhe të gjatë në Ukrainë.
Gjermania ka vetëm 580 bunkerë, shumë prej të cilëve nuk janë funksionalë, tha raporti i gazetës. Ky numër është më i ulët nga gati 2,000 që ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë. Vetëm 5% e popullsisë gjermane aktualisht do të jetë në gjendje të kërkojë strehim në rast të një sulmi, shkruajnë mediat e huaja.
Popullsia e Gjermanisë është rreth 83 milionë banorë. Shefi i agjencisë së mbrojtjes civile tha se do të përmirësojë tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore dhe bodrumet e ndërtesave publike për të "krijuar shpejt një milion hapësira strehimi", si dhe për të zgjeruar sirenat dhe sistemet e njoftimit të vendit.
Tiesler tha se agjencia e tij do të paraqesë një plan të plotë për rindërtimin dhe zgjerimin në verë, por shtoi se ende duhet të sigurohen fonde.
"Sistemet e reja të bunkerëve me kërkesa shumë të larta mbrojtjeje kushtojnë shumë para dhe kohë", tha Tiesler. Ai vuri në dukje se ka të ngjarë t'i duhen "të paktën" 10 miliardë euro (11 miliardë dollarë) në katër vitet e ardhshme dhe 30 miliardë euro të tjera (34 miliardë dollarë) në 10 vitet e ardhshme për të përfunduar rindërtimin. Versus.al







