Numri i të vdekurve nga sulmi masiv me dronë dhe raketa i nisur nga Rusia në Kiev gjatë natës po rritet në mënyrë dramatike.
Sipas përditësimit të fundit zyrtar, të paktën 18 persona, përfshirë katër fëmijë, kanë humbur jetën, me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që akuzon Moskën se preferon të vazhdojë të “vrasë” në vend që të negociojë një marrëveshje paqeje.
“Rusia zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së negociatave”, tha Zelensky për X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë. “Ajo zgjedh të vazhdojë të vrasë në vend që t’i japë fund luftës.”
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas theksoi se Kievi pret “reagimin” e të gjithë botës, kryesisht vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ai i bëri thirrje konkretisht Kinës, një aleate e Moskës, dhe Hungarisë, një shtet anëtar i BE-së me lidhje të ngushta me Rusinë, që të mbajnë një qëndrim të qartë.
Sulmet dëmtuan misionin e Bashkimit Evropian dhe zyrat e Këshillit Britanik në qytet, thanë zyrtarët. Bashkimi Evropian dhe Londra thirrën të dërguarit rusë për të protestuar. Nuk pati raportime për viktima në asnjërën prej tyre.







