Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të zhvillohet seanca e radhës për rastin “Banjska”, që lidhet me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Avokati Arianit Koci, përfaqësues ligjor i familjes Bunjaku, e ka cilësuar këtë proces si një nga më të rëndësishmit në Kosovën e pasluftës.
“Këtë javë zhvillohet një nga gjykimet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës: procesi ndaj personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjska, ku heroikisht humbi jetën polici Afrim Bunjaku duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës,” shkroi ai.
Tre të akuzuarit – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – janë paraqitur në seancën e fundit gjyqësore, ku kanë deklaruar pafajësinë për akuzat e ngritura ndaj tyre, përfshirë edhe atë për terrorizëm.
Të tre janë pjesë e një grupi prej 45 personash të akuzuar për sulmin në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, që dyshohet të jetë organizuar dhe drejtuar nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi.
Ndaj 42 të akuzuarve të tjerë, përfshirë Radoiçiqin, po zhvillohen procedura në mungesë, pasi ndodhen në arrati. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL, ndërsa autoritetet kosovare vazhdojnë përpjekjet për ekstradimin e tyre nga Serbia.
Aktakuza ndaj këtij grupi është ngritur më 11 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe përfshin akuza të rënda për terrorizëm, financim të terrorizmit, si dhe krime të tjera kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit. Versus.al







