BOTA /

Ishte duke dhënë intervistë, deputeti përfshihet në një konflikt fizik me qytetarin! Kërkon falje pas sherrit

Shkruar nga Versus

Ishte duke dhënë intervistë, deputeti përfshihet në

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik me një qytetar më 24 tetor, teksa ishte duke dhënë një intervistë. Nga Policia thanë se palët e përfshira në konflikt janë duke u intervistuar.

Pas kësaj ngjarjeje, Zemaj ka kërkuar falje publike.

“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi Zemaj në Facebook.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana, tha për Radion Europa e Lirë se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00.

"Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici", tha Pllana. Zemaj ishte duke dhënë një intervistë për Gazetën Blic, njoftoi udhëheqësi i kësaj media, Astrit Gashi.

Sipas gazetarit Gashi, pas incidentit fizik mes Zemajt dhe qytetarit është lajmëruar policia dhe autoritetet kanë marrë pamjet e xhiruara nga kamerat.

Në reagimin e tij, Zemaj tha se në raste të “fyerjeve të ulëta, sigurisht do duhej ta ruaja qetësinë”, duke shtuar se dhuna në çfarëdo forme “nuk është përgjigje e drejtë”.

“Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, shkroi deputeti i LDK-së në Facebook.

Media Periskopi, duke u thirrur në burime, raportoi se incidenti ndodhi kur Zemaj ishte duke dhënë intervistë në sheshin e Prishtinës dhe një qytetar iu drejtua me “po rren, mos rrej”. Zemaj, sipas raportimit, iu përgjigj “kush po rren” dhe e goditi qytetarin me grusht./ REL

Poll