BOTA /

Itali / Gruaja 101-vjeçare gjendet e mumifikuar në shtrat, e bija jetonte me të prej një viti

E moshuara, e cila thuhet se kishte ndërruar jetë rreth një vit më parë, jetonte së bashku me të bijën e saj 60-vjeçare, P. B., e cila nuk kishte raportuar vdekjen e nënës dhe vijonte të bënte një jetë të izoluar dhe në dukje të zakonshme.

Shkruar nga Versus

Itali /  Gruaja 101-vjeçare gjendet e mumifikuar në shtrat, e bija

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka tronditur qytetin e Bergamos, pasi një grua 101-vjeçare, Francesca Pettinato, u gjet e vdekur dhe në gjendje të avancuar mumifikimi brenda banesës së saj në Via Alcide de Gasperi, vetëm pak hapa nga stadiumi i qytetit. E moshuara, e cila thuhet se kishte ndërruar jetë rreth një vit më parë, jetonte së bashku me të bijën e saj 60-vjeçare, P. B., e cila nuk kishte raportuar vdekjen e nënës dhe vijonte të bënte një jetë të izoluar dhe në dukje të zakonshme.

Banorët e pallatit e përshkruajnë të bijën dhe nënën si “dy fantazma”, duke treguar se shumë rrallë i kishin parë apo dëgjuar. Askush nuk kishte ndonjë kontakt real me to, dhe pothuajse askush nuk e kishte parë të moshuarën në vitet e fundit. P. B. i kishte thënë fqinjëve se e ëma ishte e sëmurë dhe e shtrirë në shtrat, por “që ishte mirë”.

“Askush nuk e mendonte se ajo mund të kishte vdekur, edhe pse dikush e kishte përmendur me ironi”, tha një banore. Era e rëndë që ndjehej prej muajsh në shkallët e pallatit kishte shqetësuar fqinjët, të cilët madje kishin bërë edhe kallëzime në polici. Por vetëm pas shumë ankesave dhe ndërhyrjes së zjarrfikësve, të cilët hynë nga dritarja, u bë zbulimi i tmerrshëm: trupi i pajetë i Francesca Pettinato, i mbuluar me batanije, në një shtrat në një apartament të përshkruar si në “gjendje të mjerueshme”.

Itali /  Gruaja 101-vjeçare gjendet e mumifikuar në shtrat, e bija

Jetonte me trupin e pajetë të nënës prej një viti
E bija, P. B., punonjëse në një zyrë të INAIL-it (Instituti Kombëtar për Sigurimet në vendin e punës), u shoqërua nga policia dhe personeli shëndetësor në spital, ku u vendos në repartin e psikiatrisë. Sipas hetuesve, ajo ka deklaruar se nëna e saj kishte ndërruar jetë më 17 shtator 2024, duke shtuar se kishte jetuar me trupin e saj në mënyrë të heshtur dhe të izoluar për më shumë se një vit.

Ngjarja u zbulua pasi vëllai i saj, që jeton në Genova, nuk arrinte më të lidhej me të motrën dhe njoftoi autoritetet.

Hetimet vazhdojnë – pritet autopsia dhe hapja e një dosjeje penale
Trupi i të ndjerës është vënë në dispozicion të autoriteteve për autopsi, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes. Ndërkohë, Prokuroria e Bergamos pritet të hapë një dosje hetimore, por ende nuk është përcaktuar konkretisht se për çfarë akuzash mund të bëhet fjalë – mund të shkojë nga braktisja e të moshuarës deri te fshehja e vdekjes.

Apartamenti është sekuestruar nga policia, ndërsa fqinjët e tronditur kanë vështirësi të pranojnë realitetin e asaj që ka ndodhur “nën hundën e tyre”.

Poll