Vrasja e Charlie Kirk, aktivist dhe mbështetës i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ka shkaktuar debat të ashpër politik në SHBA, ndërsa hetimi për identitetin e autorit të krimit vazhdon.
Kirk u qëllua në qafë ndërsa fliste në një aktivitet në Universitetin e Luginës së Utah-ut dhe sulmi duket se ka qenë i shënjestruar, pasi autori i krimit ndodhej në një çati përballë vendit të aktivitetit.
Policia ka publikuar foto të të dyshuarit dhe po ofron një shpërblim prej 100,000 dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e tij. I dyshuari, siç shihet në foton më poshtë, është paraqitur i veshur me një bluzë të zezë me një flamur amerikan, një kapele bejsbolli dhe syze dielli të errëta.
Hetimi për vrasjen e Kirkut vazhdon pa u ndalur. Sulmuesi thuhet se është ngjitur në çatinë e ndërtesës së universitetit pak para mesditës dhe e ka ekzekutuar Kirkun me një të shtënë të vetme. Pas sulmit, ai iku nga vendi i ngjarjes dhe u drejtua për në një lagje aty pranë.
Vlen të përmendet se policia gjeti armën e sulmuesit, një pushkë gjahu, në një zonë të pyllëzuar pranë universitetit.
Municioni thuhet se ishte i gdhendur me slogane pro-transgjinore dhe antifashiste, megjithëse kjo nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.
Vrasja e Kirkut ka shkaktuar polemika të reja në SHBA, me mbështetësit e Trumpit dhe konservatorë të tjerë që fajësojnë të majtën, pasi sipas tyre Kirku u shënjestrua për shkak të bindjeve të tij politike dhe ndaj konservatorët gjatë orëve të fundit kanë bërë thirrje për hakmarrje.
Vdekja e Kirkut ka nxjerrë në pah polarizimin e thellë politik në Amerikë. Në Capitol Hill, përfaqësuesja republikane Anna Paulina Luna fajësoi demokratët për tensionin e shkaktuar nga retorika politike, ndërsa demokratja Alexandria Ocasio-Cortez bëri thirrje për kontrolle më të rrepta të armëve, duke thënë se vrasja mund të çojë në më shumë dhunë dhe kaos politik.
Emra të mëdhenj në lëvizjen MAGA (Make America Great Again), të frymëzuar nga Presidenti Donald Trump, e quajtën Charlie Kirk një "martir" që ra duke mbrojtur vlerat konservatore dhe të krishtera.
Nga ana tjetër, përdoruesit e mediave sociale festuan vrasjen e Kirk me postime, dhe disa e krahasuan atë me Adolf Hitlerin.







