BOTA /

Izraeli dërgoi “Kupolën e Hekurt” në Emiratet e Bashkuara Arabe, e konfirmon ambasadori i SHBA në Tel Aviv

Mike Huckabee: Bashkëpunimi ushtarak mes Izraelit dhe Emirateve është rezultat i Marrëveshjeve të Abrahamit dhe synon forcimin e mbrojtjes nga kërcënimet rajonale

Shkruar nga Versus

Izraeli dërgoi “Kupolën e Hekurt” në Emiratet e

Izraeli ka dërguar një bateri të sistemit kundërajror “Kupola e Hekurt” në Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me personel për ta operuar atë, ka konfirmuar ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee.

Gjatë një eventi në Tel Aviv të martën, Huckabee tha se ky veprim është i mundur falë marrëdhënieve të ngushta mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të vendosura përmes Marrëveshjeve të Abrahamit të nënshkruara në vitin 2020. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve ka krijuar hapësirë për mbështetje ushtarake dhe sigurie.

Sipas një burimi të cituar nga Reuters, njësitë e dërguara përfshijnë radarë dhe raketahedhës dhe kanë për qëllim forcimin e mbrojtjes së Emirateve nga sulmet e mundshme iraniane. Irani është akuzuar për sulme ndaj disa vendeve të rajonit që nga përshkallëzimi i tensioneve me Izraelin dhe SHBA-në.

Izraeli ka ofruar edhe më herët sisteme mbrojtëse ajrore për Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve.

Ndërkohë, zyrtari i lartë emiratian dhe këshilltari presidencial Anwar Gargash deklaroi më 17 mars se sulmet iraniane ndaj vendeve arabe po kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes Izraelit dhe shteteve arabe që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me të.

Në të njëjtin event, Huckabee u pyet edhe për dhunën ndaj komuniteteve të krishtera në Jerusalem dhe për sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Ai u shpreh se “terrorizmi është terrorizëm, pavarësisht kush e kryen atë”, duke theksuar se çdo akt i tillë duhet të dënohet.

Ai shtoi gjithashtu se disa nga autorët e dhunës në Bregun Perëndimor nuk jetojnë domosdoshmërisht në zonat ku ndodhin incidentet, duke përmendur edhe qytetin e Tel Avivit. Megjithatë, pas reagimeve të publikut, ai u tërhoq pjesërisht nga kjo deklaratë.

“Çfarëdo vendi ku jetojnë, kur kryhet një akt dhune apo terrori, ai është një turp dhe duhet të dënohet”, tha Huckabee, deklaratë e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

Poll