Ushtria izraelite njoftoi të dielën se do të ndalojë luftimet gjatë orëve të ditës përgjatë një rruge në Gazën jugore, për të mundësuar hyrjen e një sasie të madhe të ndihmave humanitare për palestinezët e dëshpëruar që përjetojnë një krizë humanitare të shkaktuar nga lufta, tashmë në muajin e saj të nëntë.
“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria, e cila zbatohet në një hapësirë prej rreth 12 kilometrash në zonën e Rafahut, është shumë larg nga një armëpushim i plotë në territorin e rrethuar, që është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Nëse qëndron, ndalimi i kufizuar i luftimeve mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të mëdha të palestinezëve, të cilat janë shtuar edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.
Ushtria tha se pauza që filloi në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të jetë në fuqi deri në orën 19:00. Ajo tha se pauza do të zbatohet çdo ditë deri në një njoftim tjetër.
Pauza synon të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, hyrja kryesore për ndihmën dhe të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, tha ushtria. Vendkalimi është përballur me bllokadë që kur trupat tokësore izraelite u zhvendosën në Rafah në fillim të majit.
COGAT, mekanizmi ushtarak izraelit që mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave në Gaza, tha se rruga do të rriste rrjedhën e ndihmës në pjesë të tjera të Gazës, duke përfshirë Khan Younisin, Muwasin dhe Gazën qendrore. Gaza veriore e goditur rëndë, e cila ishte një objektiv i hershëm në luftë, po mbështetet nga ndihmat që hyjnë nga një vendkalim në veri. AP







