Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar më tej pas një vale të re sulmesh ajrore të Izraelit ndaj objektivave ushtarake në territorin iranian gjatë natës. Ushtria izraelite konfirmoi se “vazhdon të godasë objektiva strategjike iraniane”, ndërsa autoritetet iraniane paralajmërojnë një përgjigje të ashpër.
Në një deklaratë zyrtare, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) bënë të ditur se sulmet ishin të fokusuara ndaj infrastrukturës ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë qendra logjistike dhe bazat e koordinimit operacional. Këto sulme vijnë pak ditë pas tensioneve të ngritura nga një seri incidentesh në rajon dhe raportimeve për infiltrime dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj territorit izraelit.
Irani reagon ashpër: “Do të vuani një fat të hidhur”
Pas sulmeve, Mohammad Pakpour, kreu i ri i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, reagoi me një deklaratë të fortë, duke paralajmëruar pasoja të mëdha për Izraelin. Pakpour mori detyrën pasi paraardhësi i tij u vra në sulmet izraelite gjatë natës.
“Izraeli do të vuajë një fat të hidhur dhe të dhimbshëm, me pasoja të mëdha dhe shkatërruese,” deklaroi Pakpour, duke shtuar se vendi i tij do të hakmerret për të vrarët në sulm.
Deklarata iraniane e konsideron veprimet izraelite si shkelje të hapur të sigurisë kombëtare dhe integritetit territorial të Iranit, duke theksuar se “nuk do të mbeten pa përgjigje”./Versus.al/







