
Ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të jetë më i fortë se kurrë përballë luftërave dhe krizave aktuale në botë si dhe përballë politikave të presidentit të SHBA-ve Donald Trump.
Duke folur në një organizim të bërë nga Fondacioni Konard Adenauer për traktatin e Lisbonës të BE-së, Merkel u shpreh se duhet të ketë një Konventë të gjerë evropiane për të bërë të mundur bashkëveprimin si një bllok në arenën globale.
“Me ide të ndryshme të miqve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kinën, të gjithë ne, edhe Gjermania që është ekonomikisht më e madhja, jemi tërësisht të vetëm në një fushë të hapur”, shtoi ajo në ngjarjen e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-presidentit të Parlamentit Evropian dhe më pas udhëheqësit të KAS-it, Hans-Gert Pöttering.
“Prandaj Evropa është bërë më e rëndësishme sesa mendohet”, tha ish-udhëheqësja gjermane.
Merkel theksoi gjithashtu se një mangësi e Traktatit të Lisbonës është se për të bërë ndryshime më të mëdha duhet të thirret një Konventë Evropiane.
“Duhet të jemi të kujdesshëm si Bashkim Evropian që të mos ia pamundësojmë vetes veprimin”, paralajmëroi ajo.
Merkel gjithashtu kritikoi faktin që, ndonëse Parlamenti Evropian mund të rrëzojë Komisionin Evropian përmes një votimi mosbesimi, ndryshe nga parlamentet kombëtare, nuk ka domosdoshmëri që të shpallen zgjedhje të reja. Versus.al







