Atmosfera festive që duhej të shoqëronte finalen e shumëpritur të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Inter Milan, e cila do të luhet sonte në Allianz Arena (ora 21:00), është errësuar nga përplasje të dhunshme dhe tension i lartë në rrugët e Mynihut.
Policia gjermane është vënë në gatishmëri të plotë, ndërsa qyteti është përfshirë nga incidente të shumta, duke rritur frikën se situata mund të përshkallëzohet edhe më tej përpara nisjes së ndeshjes.
Gaz lotsjellës në metro, kaos në linjën U6
Një nga incidentet më serioze ndodhi në stacionin “Universität”, në linjën e metrosë U6, ku është raportuar përdorimi i gazit lotsjellës brenda një treni. Ngjarja shkaktoi panik, çka solli aktivizimin e frenës së emergjencës, duke krijuar vonesa dhe konfuzion në gjithë rrjetin e transportit publik. Stafi i metrosë u detyrua të tërhiqej përballë situatës së tensionuar.
Tifozë të lënduar pranë stadiumit
Tensionet u zhvendosën më pas në stacionin “Fröttmaning”, shumë pranë stadiumit, ku tifozë të Interit u përfshinë në përplasje dhe disa prej tyre mbetën të lënduar, madje sipas dëshmive, disa ishin edhe të mbuluar me gjak. Vetëm gardhi i sigurisë mes shinave arriti të ndalonte dhunën të përshkallëzohej më tej.
Përleshje, gurë dhe konfrontime mes ultrasve
Përplasjet nuk u ndalën me kaq. Në të njëjtin stacion, tifozët e Interit hedhën gurë në drejtim të mbështetësve të PSG-së, ndërsa përleshje të drejtpërdrejta fizike u raportuan edhe në stacionin qendror të trenit. Policia ndërhyri menjëherë, duke u përpjekur të kontrollojë situatën, ndërkohë që grupet ultras marshonin drejt stadiumit nën mbikëqyrje të rreptë të forcave të rendit.
Finalja nën hijen e dhunës
Ndërsa bota e futbollit pret me padurim një duel spektakolar mes dy prej klubeve më të mëdha të Europës, ngjarjet jashtë fushës po rrezikojnë të zbehin atmosferën sportive. Në vend të festës, Mynihu po përjeton një klimë frike dhe pasigurie, me autoritetet që kërkojnë të shmangin çdo incident të mundshëm gjatë mbrëmjes.







