Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të japë me koncesion operimin e trenave të pasagjerëve në rrjetin kombëtar hekurudhor, ndërsa detajet e fundit të bëra publike për projektin Tiranë – Durrës – Rinas, flasin për një projekt ambicioz.
Hekurudha Tiranë – Durrës ka një gjatësi prej 37.9 km, ndërkohë që koha e udhëtimit do të jetë rreth 36 minuta, ndërkohë linja e dytë nga Tirana në aeroportin e Rinasit do të ketë gjatë 15.4 km dhe do të përshkohet për rreth 20 minuta.
Ndërkohë, linja e tretë Durrës – Rinas ka një gjatësi prej 32.6 km dhe koha e udhëtimit përllogaritet të jetë në 28 minuta.
Rehabilitimi i linjës ekzistuese Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i një degëzimi të ri hekurudhor drejt aeroportit të Rinasit është një nga projektet më të avancuar, që synojnë të ringjallin transportin e udhëtarëve me tren në Shqipëri.
Në këtë kuadër po zhvillohen edhe propozimet për të dhënë një kontratë shërbimi publik, që do të parashikojë operimin e trenave të pasagjerëve. Po ashtu, operatori i zgjedhur do të furnizojë dhe ndoshta do të mirëmbajë trena të rinj, të dorës së dytë ose të marrë me qira.
Gjithashtu, sipas informacioneve paraprake, operatorit të shërbimit hekurudhor mund t'i kërkohet dhe të mbledhë tarifat e udhëtimit.
Tenderimi pritet të fillojë në tremujorin e tretë të vitit 2025 për operacionet që do të fillojnë në tremujorin e tretë të vitit 2026, pikërisht me projektin e sipërpërmendur, ndërsa më pas synohet zgjerimi i shërbimeve në linjën Vorë – Hani i Hotit dhe Durrës – Pogradec.
Operacionet e pasagjerëve vlerësohen në 1.1 milion tren-km në vitin 2026, duke u rritur me zgjerime të ardhshme në rreth 4 milion tren-km në vitin 2036, raporton Tv Scan.