Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përballet me kërcënime të vazhdueshme për jetën dhe sigurinë e saj personale.
Së fundmi, një tjetër email kërcënues është dërguar në adresën zyrtare të Presidencës, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë.
Në një prej mesazheve të mëhershme, ishte përdorur gjuhë kërcënuese dhe denigruese ndaj Presidentes.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet dhe ka caktuar një prokuror të posaçëm për trajtimin e rastit me prioritet të lartë.
“Sapo është pranuar raporti policor, është caktuar një prokuror përgjegjës dhe janë ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, bashkëshorti i Presidentes, Prindon Sadriu, ka reaguar në rrjetet sociale, duke denoncuar kërcënimet e përsëritura ndaj Vjosa Osmanit dhe familjes së saj.
Ai theksoi se kërcënimet vijnë si nga profile anonime, ashtu edhe nga individë të njohur publikisht. Sadriu kritikoi ashpër mungesën e reagimit nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar heshtjen e tyre si një formë bashkëfajësie dhe duke paralajmëruar për rrezikun që kjo situatë paraqet për sigurinë dhe stabilitetin institucional të vendit./Versus.al








