Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar një plan nga Kryeministri Benjamin Netanyahu për të pushtuar Qytetin e Gazës. Kështu njoftoi zyra e kryeministrit gjatë orëve të para të së premtes.
"IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) do të përgatiten për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës, duke siguruar ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit", tha zyra pas një takimi orësh të kabinetit të sigurisë që zgjati deri natën vonë.
Protesta masive shpërthyen në të gjithë Izraelin ndërsa kabineti i sigurisë i vendit po mblidhej për të vendosur për një riokupim të plotë të Gazës, një veprim që do të shënonte një përshkallëzim të madh të luftës.
Pavarësisht presionit ndërkombëtar, kundërshtimit nga ushtria izraelite dhe frikës së brendshme se operacioni do të rrezikojë pengjet, Netanyahu ka shtyrë për një marrjen nën kontroll të plotë të enklavës së rrethuar gati dy vjet pas fillimit të luftës. Një zyrtar i lartë izraelit u shpreh pas mbledhjes në kabinetit:
"Operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me Qytetin e Gazës: qëllimi është evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025 (përvjetori i dytë i masakrës së Hamasit në Izraelin jugor). Do të vendoset një rrethim mbi terroristët e mbetur në zonë dhe ndërkohë, ushtria do të manovrojë brenda qytetit".
Detajet e planit mbeten të paqarta, por Zyra e Kryeministrit tha se "një shumicë dërrmuese e ministrave të kabinetit besonin se plani alternativ i paraqitur nuk do të arrinte as humbjen e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve".
Në një intervistë me Fox News pak para takimit të kabinetit të sigurisë, Netanyahu u pyet nëse Izraeli planifikon të marrë kontrollin ushtarak të të gjithë Gazës.
“Ne synojmë ta bëjmë këtë”, tha Netanyahu. Ai pretendoi se Izraeli synon të “largojë Hamasin” nga Gaza, përpara se t’ia dorëzojë territorin një pale asnjëanëse.
Komentet e kryeministrit shkaktuan një reagim të fortë nga udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid. “Ajo që po ofron Netanyahu është më shumë luftë, më shumë pengje të vdekur dhe dhjetëra miliarda shekel të taksapaguesve të derdhura në iluzionet e (Itamar) Ben Gvir dhe (Bezalel) Smotrich”, tha Lapid, duke iu referuar ministrave të ekstremit të djathtë të Izraelit, të cilët kanë shtyrë vazhdimisht për qëllime maksimaliste në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Familjet e disa prej 50 pengjeve që janë ende në Gaza organizuan disa protesta të enjten, duke iu lutur qeverisë që të heqë dorë nga plani. Hamasi nga ana tjetër ka paralajmëruar se do të rezistojë dhe luftojë përballë Izraelit. Versus.al







