Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë e gjithë vendit.
KFOR-i e tha këtë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të premten, pas pretendimeve nga autoritetet kosovare se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.
Të premten në mëngjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për media se "kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra - është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it tha për REL se ky mision e vëzhgon rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion.
"Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër Vijës Kufitare Administrative, të koordinohet në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë", thuhet në përgjigje. REL







