BOTA /

Kriza e shëndetit mendor te fëmijët arrin nivel kritik , shkak përdorimi i rrjeteve sociale

Sipas raportit, të paktën 14% e fëmijëve dhe të rinjve të moshës 10 deri në 19 vjeç përjetojnë probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që shkalla globale e vetëvrasjeve në grupmoshën 15-19 vjeç ka arritur në 6 për 100,000 adoleshentë.

Shkruar nga Versus

 

Kriza e shëndetit mendor te fëmijët arrin nivel kritik , shkak

Shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve në mbarë botën po përballet me një krizë serioze, dhe një nga shkaktarët kryesorë është përdorimi i pakontrolluar dhe i dëmshëm i rrjeteve sociale. Alarmi është ngritur nga organizata ndërkombëtare KidsRights në bashkëpunim me Universitetin Erasmus të Roterdamit, përmes një studimi të fundit tronditës.

Sipas raportit, të paktën 14% e fëmijëve dhe të rinjve të moshës 10 deri në 19 vjeç përjetojnë probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që shkalla globale e vetëvrasjeve në grupmoshën 15-19 vjeç ka arritur në 6 për 100,000 adoleshentë.

Raporti nënvizon një lidhje të qartë midis përkeqësimit të shëndetit mendor dhe përdorimit problematik të mediave sociale – një formë varësie digjitale që shpesh ndodh në mungesë të kontrollit prindëror apo institucional dhe që shkon përtej përdorimit normal.

“Rrjetet sociale nuk janë ndërtuar për të qenë vende të sigurta për fëmijët,” – thuhet në raport. Përhapja masive, mungesa e rregullimit dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme kanë bërë që fëmijët të jenë më të rrezikuar se kurrë më parë nga ankthi, depresioni dhe vetëdëmtimi.

Nevojë për ndërhyrje urgjente dhe të koordinuar

KidsRights paralajmëron se mungesa e të dhënave të sakta mbi shëndetin mendor të fëmijëve është një tjetër pengesë për trajtimin e krizës, ndërsa kërkon nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare masa të koordinuara dhe të menjëhershme për të mbrojtur gjeneratat e reja.

Ne kemi nevojë për politika që e vënë sigurinë e fëmijëve në fokus të zhvillimit teknologjik dhe digjital,” apelon raporti, duke kërkuar përfshirjen e platformave teknologjike, shkollave dhe prindërve në zgjidhjen e kësaj sfide globale. /Versus.al

Poll