Politika e qytetit të Nju Jorkut përjetoi një tronditje të martën, teksa Zohran Mamdani, një demokrat socialist 33-vjeçar, mposhti ish-guvernatorin e fuqishëm Andrew Cuomo në zgjedhjet paraprake të demokratëve për kryetar bashkie, duke u ngjitur në krye me një mesazh të qartë: përballueshmëri, barazi dhe drejtësi sociale.
Mamdani, me një fushatë që aktivizoi të rinjtë dhe votuesit progresistë, fitoi me 43.5% të votave, përkundër 36.4% të Cuomos, me afro 95% të fletëvotimeve të skanuara, sipas Bordit të Zgjedhjeve të qytetit.
“Unë po kandidoj për një qytet që funksionon për ju. Që është i përballueshëm, i sigurt dhe që kujdeset për njerëzit, jo për miliarderët,” – u shpreh Mamdani para mbështetësve në fjalimin e tij të fitores.
Ai premtoi ngrirje të qirasë për miliona qytetarë, transport publik falas dhe shërbime të kujdesit për fëmijët, duke theksuar se “kjo do të financohet duke i taksuar të pasurit.”
Mamdani përfaqëson një brez të ri politikanësh të majtë që po sfidojnë strukturat e vjetra brenda Partisë Demokratike, dhe fitorja e tij shihet si një sinjal i qartë për një zhvendosje të elektoratit në drejtim të politikave më radikale e sociale.
Cuomo, 67 vjeç, dikur një figurë kyçe e partisë në nivel shtetëror, ishte përpjekur të rikthehej në skenën politike katër vjet pas dorëheqjes së detyruar nga posti i guvernatorit për shkak të akuzave për ngacmim seksual. Në një fjalim të shkurtër, ai pranoi humbjen dhe tha se kishte telefonuar Mamdanin për ta përgëzuar:
“Sonte është nata e tij,” – tha Cuomo.
Mamdani, me origjinë indiano-ugandeze dhe i lindur në Ugandë, është biri i regjizores Mira Nair dhe i ekonomistit të njohur të majtë Mahmood Mamdani. Ai hyri në politikë si përfaqësues në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut dhe shpejt u bë një nga zërat më të dëgjuar të krahut progresist.
Nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit, ai do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e Nju Jorkut.
Fushata e tij është cilësuar si një model i ri politik – e thjeshtë, direkte, e shoqëruar nga angazhim në rrugë dhe rrjete sociale, duke folur “me këdo, kudo”. Ekspertët e politikës amerikane parashikojnë se kjo mënyrë mobilizimi mund të ndikojë edhe në strategjitë e fushatave në nivel kombëtar brenda Partisë Demokratike.
Megjithëse rezultati përfundimtar nuk është shpallur ende për shkak të sistemit të votimit me renditje në Nju Jork (ku qytetarët rendisin deri në 5 kandidatë sipas preferencës), avantazhi i Mamdanit duket i pakapërcyeshëm.
Ai është përballur me kritika për qëndrimet e tij të hapura kundër ndërhyrjes së Izraelit në Gaza, akuza që i ka mohuar si “të motivuara politikisht”. Sidoqoftë, votuesit duket se kanë preferuar autenticitetin dhe angazhimin e tij social mbi polemikat politike. /Versus.al/







