Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi të dielën se po përgatitet për mundësinë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të vazhdojë për një kohë të gjatë. Sipas tij, konfliktet zakonisht përfundojnë ose me humbje ushtarake, ose me rraskapitje ekonomike, dy skenarë që aktualisht nuk duken të afërt, as për Kievin dhe as për Moskën.
Deklarata e Merz vjen vetëm një ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për organizimin e një takimi mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, me synimin për të hapur rrugën drejt bisedimeve të paqes.
Trump ka paralajmëruar gjithashtu se “do të ketë pasoja” nëse kjo takim nuk ndodh.
Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë fajësuar vazhdimisht presidentin rus Vladimir Putin për nisjen e luftës dhe kanë kërkuar nga SHBA të vendosë sanksione edhe më të ashpra ndaj Moskës.
“Po përgatitem për mundësinë që kjo luftë të zgjasë,” tha Merz në një intervistë për rrjetin publik gjerman ZDF. Ai theksoi se po bëhen përpjekje të forta diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt, por shtoi se kjo nuk mund të ndodhë “me çmimin e dorëzimit të Ukrainës”, pasi, sipas tij, në atë rast Rusia do të synonte një vend tjetër.
“Dhe pasnesër, mund të jemi ne,” tha kancelari gjerman. “Kjo nuk është një alternativë.”
I pyetur për mundësinë që Gjermania të dërgojë trupa në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë pas një marrëveshjeje paqeje, Merz refuzoi të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, Britania dhe Franca po udhëheqin një propozim për krijimin e një “forcë sigurie” që do të parandalonte çdo agresion të mundshëm të ardhshëm rus. Por përfshirja e mundshme e Gjermanisë në këtë “Aleancë të Vullnetarëve” ka ngjallur debat brenda vendit, për shkak të kujtesës historike që lidhet me të kaluarën naziste të saj.







