Autoritetet malazeze planifikojnë të fillojnë prodhimin e dronëve pa pilot, në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe seria e parë do t’i dhurohet Ukrainës, shkruan në një dokument të Qeverisë së Malit të Zi.
Kjo qeveri thekson se kjo nismë është në përputhje me orientimin strategjik të Malit të Zi dhe se, mes tjerash, ajo do të forcojë industrinë vendase të mbrojtjes.
“Do t’i përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë në raport me NATO-n, do t’i mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës, si dhe do ta pozicionojë Malin e Zi si një furnizues të besueshëm të pajisjeve më moderne të mbrojtjes në tregun global”, sipas Qeverisë malazeze.
Se kur do të fillojë prodhimi, nuk dihet, e as sa para do t’i ndajnë autoritetet malazeze për këtë qëllim.
Në dokument thuhet se marrëveshja me vlerë deri në 15 milionë dollarë, do të mbështetet nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump.
Përndryshe, këto janë paratë që SHBA-ja i ka ndarë për Ushtrinë e Malit të Zi.
Ambasada amerikane: Investimi në mbrojtje tregon seriozitetin e Malit të Zi
Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi thotë se Qeveria amerikane i inkurajon të gjitha vendet partnere të investojnë dhe të bashkëpunojnë me kompanitë amerikane.
“Investimet në kapacitetet mbrojtëse, siç janë sistemet ajrore amerikane pa pilot, tregojnë seriozitetin e Malit të Zi në përmbushjen e detyrimeve të tij ndaj Aleancës, në një kohë kur ne po i kërkojmë Evropës të marrë përsipër një barrë më të madhe për sigurinë e saj”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.
Vendet anëtare të NATO-s e kanë për obligim të ndajnë së paku 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje.
Ambasada kujton se pritjet e SHBA-së janë edhe më të mëdha:
“Siç e ka thënë presidenti Trump, është e rëndësishme që të gjithë aleatët, në Samitin e Hagës, të zotohen se do të shpenzojnë 5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje”.
Dakordimi - nëse arrihet - do të promovojë “sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët”, thekson Ambasada amerikane në Podgoricë.
Çka parasheh letër-qëllimi?
Në seancën e mbajtur më 29 maj, Qeveria e Malit të Zi miratoi një “letër-qëllim” për të investuar në prodhimin e sistemeve të avionëve pa pilot (UAS) dhe zhvillimin e eksporteve nga aeroportet malazeze.
Kjo letër do të nënshkruhet së shpejti nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtori i kompanisë By Light professional IT services LLC., Robert J. Donahue.
Ajo do të jetë një hyrje në kontratën që do të duhet të nënshkruhet në shtator.
Ministria e Gjeloshajt nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku do të ndërtohet fabrika, kur duhet të fillojë prodhimin dhe sa njerëz do të punësohen.
Mali i Zi, gjithashtu, konfirmon me dokumente se do të sigurojë një kornizë legjislative për prodhimin dhe eksportin e komponentëve ushtarakë dhe të materialeve të rrezikshme.
Aktualisht, Qeveria është duke punuar në një projektligj për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit.
Në këtë iniciativë marrin pjesë tetë ministri, Agjencia për Aviacion Civil dhe Aeroporti i Podgoricës.
Bashkëpunimi me kompanitë malazeze
Qeveria e Malit të Zi do të ndajë gjithashtu fonde për krijimin e një kapaciteti prodhues për sisteme ajrore pa pilot, në bashkëpunim me kompaninë By Light dhe partnerin e saj 4WINDS LLC, të cilët do të themelojnë një kompani në Mal të Zi për nevojat e këtij projekti. Marrëveshja parashikon shfrytëzimin e kompanive nga Mali i Zi dhe rajoni për testimin e teknologjive ajrore dhe nënujore të sistemeve pa pilot. REL







