Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk përjashton mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se një gjë e tillë është e ndaluar nga Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së. Në një intervistë për "NBC News", Trump tha se "ka metoda" për ta arritur qëllimin e tij dhe sqaroi se "nuk po tallej".
“Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë. Por unë u them atyre se kemi një rrugë të gjatë para. Është ende shumë herët në mandat. Unë jam i fokusuar në të tashmen,"- shtoi ai.
I pyetur nëse do të donte një mandat tjetër, ai u përgjigj: Më pëlqen të punoj.
Dhe i pyetur për të sqaruar nëse e kishte seriozisht, ai u përgjigj: Nuk po bëj shaka. Por është shumë herët për të menduar për këtë gjë. Ka metoda që edhe kjo të arrihet.
Ndryshimi i amendamentit të 22-të kërkon ose një shumicë prej dy të tretave në Kongres ose thirrjen e një konvente nga dy të tretat e shteteve - dhe në secilin rast, ratifikimi nga 75% e shteteve, gjë që konsiderohet jashtëzakonisht e vështirë. Megjithëse deklaratat e mëparshme të Trump për një mandat të tretë janë trajtuar si shaka apo komente ironike ndaj kritikëve të tij, por intervista e tij me NBC News është deklarata e tij më e qartë deri më sot.
Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-së, presidentët amerikanë lejohen të shërbejnë deri në dy mandate katër-vjeçare, qofshin ato të njëpasnjëshme ose jo. Një tjetër faktor është mosha. Në fund të mandatit të tij të dytë, Trump do të jetë plot 82 vjeç.








