
Mes vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në BE duket se ka një lloj skepticizmi sa i takon gatishmërisë së Bashkimit Europian për të pranuar në gjirin e tij shtete të reja. Gjatë një diskutimi për prespektivën e zgjerimit, ku mori pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, mbajti fjalën kancelari gjerman Friedrich Merz i cili tha se ndihet “gjithnjë e më i parehatshëm” me paaftësinë e BE-së për të bërë përparim domethënës në procesin e anëtarësimit.
“Duhet të rihapim një strategji të re se si t’i afrohen këto vende Bashkimit Evropian. Nuk dua t’ju humbas,” deklaroi ai.
Politikani gjerman pranoi se ekziston një “elefant në dhomë”, duke iu referuar faktit se vendimmarrja kërkon unanimitet dhe se Hungari vazhdon të bllokojë avancimin e procesit. Megjithatë, ai theksoi se kjo pengesë duhet kapërcyer.
Merz la të kuptohet se zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në Hungari në prill mund të ndryshojnë situatën, duke shtuar se pas tyre “shpresojmë të mund të hapim kapitujt e radhës dhe t’ju afrojnë gjithnjë e më shumë me BE-në.” Versus.al

