
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz kërkon përshpejtimin e procesit për anëtarsimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Me anë të një letre dërguar vendeve anëtare të BE, Merz shkruan se zgjerimi është një domosdoshmëri më së shumti gjeopolitike.
“Unë sugjeroj që të shqyrtojmë zgjidhje inovative edhe për ato vende kandidate që janë përgatitur për pranimin e tyre prej kohësh, dhe që të përshpejtojmë edhe procesin e tyre të pranimit. Së bashku me kolegët, do të vazhdoj të punoj për këtë”, shkruan Merz.
Ai propozon që BE-ja mund të parashikojë edhe për këto vende hapa të konsiderueshëm në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, me, për shembull, akses të privilegjuar në Tregun e Brendshëm dhe lidhje më të ngushta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
“Integrimi gradual mund të vendoset duke ndërtuar blloqe që mund të jenë baza për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas të shoqërohet me mbështetje të shtuar në procesin e zbatimit të acquis. Përveç kësaj, ne mund të përmirësojmë integrimin institucional të lartpërmendur në bazë të progresit thelbësor. E gjithë kjo mund t'i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe kështu të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme të nevojshme për të arritur anëtarësimin e plotë”, shkroi Merz.
Ndërsa për Ukrainën, Merz tha se duhet që të marrë një “anëtarësi të asociuar” si hap vendimtar drejt rrugës për anëtarësim të plotë, por fillimisht duke mos patur të drejtë vote. Versus.al

