Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë. Ndërkaq, presidentja e Kosovës ka kërkuar që shteti fqinj të marrë masa të menjëhershme kundër organizatorëve të thirrjeve antishqiptare.
Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në fundjavë, gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në basketboll u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në këtë ngjarje, që ishte ndeshja e parë e fazës së dytë të parakualifikimeve për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, të pranishëm ishin edhe kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media më 4 gusht tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, nuk i “vura re” tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se “fjalë për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Ai tha se thirrjet kundër shqiptarëve “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”. Prokuroria maaqedonase ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Në Kosovë, presidentja e vendit dhe deputetë të partive që mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë reaguar ashpër për këtë ngjarje.
Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrjet antishqiptare të dëgjuara në Kumanovë janë të papranueshme dhe “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës kërkoi që shteti maqedonas të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha Osmani. REL







