Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të mos udhëtojnë drejt territorit të Serbisë përgjatë kësaj periudhe kohore.
Thirrja vjen pas konfirmimit të arrestimit të qytetarit Hazir Haziri nga autoritetet serbe më 8 shtator në pikën kufitare të Merdarës gjatë momentit që po hynte në Serbi me automjet privat.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale, MPJD i këshillon fuqishëm qytetarët e Republikës së Kosovës të shmangin çdo udhëtim që përfshin kalimin nëpër Serbi, për të mbrojtur sigurinë dhe mirëqenien e tyre,” thuhet në deklaratë.
Ministria gjithashtu shpreh shqetësim të thellë për sjelljen e autoriteteve serbe dhe thekson domosdoshmërinë e një reagimi të menjëhershëm nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj veprimeve shtypëse që janë në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe konventave për të drejtat e njeriut.
Po ashtu, në reagim ministria nënvizon se rritja e rasteve të ndalimeve dhe trajtimeve të pahijshme ndaj qytetarëve të Kosovës përbën shkelje të rëndë të frymës së dialogut dhe marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Versus.al







