Gjykata Themelore në Prishtinë të martën ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për pjesëtarin e organizatës terroriste ISIS, K.H., pasi dyshohet për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
K.H. dyshohet se në muajt shtator dhe tetor të vitit 2016, si pjesëtar i ISIS-it dhe sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, së bashku me disa persona të tjerë “kishin përgatitur sulme terroriste në territorin e Ballkanit dhe atë së pari në Kosovë, kishin planifikuar që të sulmojnë ndërkombëtarët dhe institucionet e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme”.
Sipas Gjykatës, qëllimi i tyre më pas ishte të krijonin shtetin islamik “Iraku dhe Levant”.








