Kosovë- Policia ka dhënë detaje lidhur me bastisjet e kryera ditën e djeshme në 2 objekte të strukturave paralele serbe në komunën e Leposaviçit pas dyshimeve për pastrim parash dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Mësohet se gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar mbi 5.7 milionë dinarë serbë, 57 mijë dollarë, mbi 10 mijë euro dhe 3 mijë franga zviceriane.
Gjatë aksionit gjithashtu u sekuestruan vula dhe dokumente të cilat sipas policisë, provojnë veprimtarinë e paligjshme të këtyre institucioneve financiare paralele të financuara nga qeveria e Serbisë.
“SHPËRLARJE E PARASË & KEQPËRDORIM I AUTROIZIMEVE EKONOMIKE – Rr. 24-Nëntori, Leposaviq / 20.05.2024 – 11:30. Lidhur me rastin, me 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serb, 57,626.00-dollarë amerikan, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në detajet e publikuara nga policia.
Ndërkohë, tensionet në veri të Kosovës janë ngritur sërish që pas aksionit të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe të cilat financoheshin nga qeveria e Serbisë. Për këto zhvillime, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për t’ju drejtuar kombit serb, në të cilën sipas mediave serbe, presidenti pritet të shpallë okupimin e veriut të Kosovës me justifikmin se atje po keqtrajtohet popullsia civile serbe. Versus.al








