Në një takim të nivelit të lartë, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer diskutuan mbi një plan të ri për një ofensivë të përgjithshme në Rripin e Gazës. Megjithëse plani mori miratimin politik, ai u kundërshtua ashpër nga shefi i ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Eyal Zamir.
Zamir paralajmëroi se një ofensivë e tillë paraqet rrezik të madh për jetën e pengjeve izraelite, të cilët besohet se mbahen në zona të populluara civile brenda Gazës. Ai paraqiti një alternativë operacionale që përfshin rrethimin e zonave të caktuara për të detyruar Hamasin të çarmatoset dhe të lirojë pengjet, pa qenë nevoja për një pushtim të plotë.
Sipas burimeve të brendshme, kryeministri Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë këtë propozim dhe kritikoi ashpër gjeneralin për deklaratat e tij publike mbi mundësinë e dorëheqjes. Përplasja mes udhëheqjes politike dhe asaj ushtarake ka marrë vëmendje të gjerë në mediat izraelite.
Ministri Katz ka tentuar të qetësojë situatën, duke theksuar se në takime të mbyllura, shefi i ushtrisë ka të drejtë dhe detyrim të shprehë lirshëm qëndrimin e tij profesional.
Vendimi final nesër
Vendimi përfundimtar mbi planin ushtarak pritet të merret të martën, më 7 gusht, në orën 18:00, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje do të prezantohen edhe plane të reja operative të përgatitura nga ushtria në përputhje me udhëzimet e Netanyahut.
Reagime të ashpra nga opozita dhe publiku
Plani për pushtimin e Gazës është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, veçanërisht nga lideri Yair Lapid. Ai paralajmëroi për pasoja të rënda humanitare dhe ndërkombëtare, si dhe rrezik të shtuar për jetën e pengjeve.
“Ky pushtim mund të sjellë viktima të shumta në radhët e ushtrisë dhe civilëve, dhe rrezikon drejtpërdrejt jetën e pengjeve që mund të ekzekutohen nga Hamasi apo të humbin jetën nga mungesa e ndihmës ose zjarri i ushtrisë,” deklaroi Lapid në radion shtetërore.
Ndërkohë, qindra protestues u mblodhën mbrëmë në qendër të Tel Avivit, në një demonstratë të organizuar nga familjarët e pengjeve. Ata mbanin pankarta me sloganin:
“Pushtimi i Gazës do të thotë dënim me vdekje për pengjet.” /Versus.al/







